1 Qershori është dita e fëmijëve, për të cilën përgatitën programe të shumta dhe thuren vargje të panumërta. As në shkollën tonë kjo festë nuk mund të kalonte pa këngë, valle e poezi.
Prandaj, klasët e dyta të shkollës fillore “Don Bosko”, nën udhëheqjen e mësueseve të tyre, kishin përgatitur një program të pasur me pika të ndryshme, si: këngë, poezi, vallëzime etj.
Programin e hapi drejtori i shkollës, Don Izidor Lukić, duke uruar fëmijët për këtë ditë, duke i përgëzuar për angazhimin e tyre në mësime dhe për përgatitjen e programit dhe duke falënderuar mësueset për punën e palodhshme. Ai gjithashtu u uroi mirëseardhje prindërve të fëmijëve dhe i falënderoi ata për pjesëmarrjen e tyre në program. Me këto fjalë Drejtori i la radhën fëmijëve për të vazhduar me prezantimin e programit.
Program vazhdoi me korin e fëmijëve, me këngën “1 Qershori”, nën dirigjimin e mësueses së muzikës, Selvie Marteti.
Pastaj u recituan jashtëzakonisht bukur vargjet e poezisë për këtë ditë, dhe program vazhdoi me një vals. Pas valsit u lexuan disa nga pikat e Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës.
Kori i fëmijëve pastaj interpretoi edhe një këngë tjetër, të titulluar “Pranvera”. Pas kësaj këngë të bukur programi vazhdoi me një recital.
Në fund fare, programi u përmbyll me një valle popullore.
Të dashur fëmijë, Urime 1 Qershorin!
Category: Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme , Shkolla Fillore Publikuar më: 31/05/2019