Ideja e hapjes së Qendrës “Don Bosko” në Prishtinë buron nga dëshira për të vazhduar aktivitetet e përkrahjes dhe ndihmës së dhënë të shpërngulurëve kosovarë, pas përvojës së dhimbshme të pritjes së 1.200 refugjatëve kosovar në qendrën “Don Bosko” në Tiranë, në luftën e pranverës së vitit 1999 dhe intervenimit të NATO-s.
Realizimi i deritanishëm i qendrës në Prishtinë është mundësuar, falë ndihmës së madhe të grupit të donatorëve ndërkombëtar me ndihmën e VIS-it (OJQ italiane e Kongregatës Saleziane):
- Qeveria italiane, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Rajonet e Lombardisë dhe Toskanës,
- Qeveria Gjermane përmes Ministrisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, GTZ dhe
- OJQ-së Gjermane Jugend Dritte Welt
- OJQ-së Austriake “Jugend Eine Welt”
- Qeveria Spanjolle, përmes Rajonit Autonom të Valencias, nëpërmjet OJQ-së spanjolle Jovenes del Tercer Mundo
- Qeveria e Luksemburgut në bashkëpunim me MPMS
- CEI-Konferenca Ipeshkvnore Italiane
- Kongregata Saleziane
- Rotary Clubs Arnsberg (Hollandë) dhe Drachten (Gjermani)
- Kontribut shumë të vlefshëm për realizimin e projetktit ka dhënë edhe Komuna e Prishtinës, që ka dhënë në shfrytëzim një teren prej 3 hektarësh për Fondacionin Qendra Social-Edukative “Don Bosko”.
Hapja e kësaj qendre gjithashtu buron nga prirja e Salezianëve për rritjen e mundësive dhe ruajtjen e dinjitetit të pjesës më të varfër të rinisë, prirje që trashëgohet nga themeluesi i tyre Shën Gjon Bosko si dhe nga përvoja e gjatë në mes 130 shtete të botës me rreth 2000 qendra edukativo-shkollore dhe sociale.
Me përfundimin e luftës ne vitin 1999, salezianët së bashku me VIS-in vendosën të hyjnë në Kosovë dhe të vazhdojnë punën që tashmë kishin filluar në Tiranë dhe Shkodër.
Projekti u pranua nga autoritetet vendore dhe nga UNMIK-u gjatë vitit 2000. Më 28 nëntor 2001 është vënë gurëthemeli i QSE “Don Bosko”, i cili u përurua në tetor të vitit 2003, si rezultat i një bashkëpunimi të gjatë e të frytshëm ndërmjet subjekteve të ndryshme lokale, ndërkombëtare dhe Kongregatës Saleziane.
Kjo qendër ofron përkrahje edukative dhe kulturore për të rinjtë e Kosovës dhe tregon një kujdes të veçantë si për formimin njerëzor ashtu edhe për aftësimin profesional të tyre në një realitet që karakterizohet nga një nivel i lartë i papunësisë dhe me një zhvillim të ngadalshëm ekonomik.
Qendra është e hapur për të gjithë, pa dallim gjinie, feje, etnie apo kategorie sociale, dhe ka për qëllim të përmbush këtë mision:
Të rinjtë dhe qytetarët e Kosovës pa dallim, të bëhen protagonist të një të ardhmëje më të mirë për veten dhe për vendin e tyre, përmes edukimit integral të lidhur me formimin human dhe teknik, të nevojshëm për krijimin dhe mbajtjen e një pune, për të mirën e përbashkët dhe që angazhohen të jenë në qendër të progresit social dhe ekonomik të vendit si dhe të përgatitur për të mësuar gjatë gjithë jetës.
Përvoja e gjatë e salezianëve në mbarë botën nënvizon domosdoshmërinë e këtyre qendrave, në mënyrë që t’u sigurojë të rinjve një hapësirë të përbashkët, ku ata mund të mësojnë dhe jetojnë bashkërisht, e gjithashtu të krijojnë lidhje miqësie dhe dialogu të sinqertë.
I tërë projekti përfshinë Qendrën e Formimit Profesional, Liceun, Gjimnazin, Shkollën Fillore, Qendrën Rinore, bibliotekën dhe hapësirat për aktivitete sociale dhe kulturore. Gjithashtu posedon fusha sportive, Qendrën Sportive dhe ambiente të gjelbërta për aktivitete të ndryshme. Salezianët e Don Boskos janë banorë të përhershëm të Qendrës, përgjegjës për të gjitha aktivitetet dhe strukturat, si dhe sigurojnë qëndrueshmërinë e saj.