Qendra “Don Bosko”, “shtëpia jonë” e dytë.
Për Qendrën “Don Bosko” të Prishtinës, është me rëndësi përshtypja dhe vetëdija që e ka shoqëria kosovare për të. Sot kudo ndjehen fjalë sikur këto: këtu në Qendër, ekziston një frymë e familjes dhe disiplinës, e cila ndjehet menjëherë, e punës dhe harmonisë, angazhimit e respektit, organizimit dhe rregullave; kuptohet që është një ambient i pozitivitetit për atë që jeton brenda dhe i atij që vije nga jashtë.
Këto vlera i gjejmë të shprehura në dy dëshmi të dhëna e që janë shkruar:
E para është ajo e nxënëses sonë të liceut elektroteknik, që në përfundimin e katër viteve të saj këtu me ne, shkruan kështu: “Tani, me lot në sy nga nostalgjia dhe nga pikëllimi, kemi dëshirë që të na mundësohet kthimi në “shtëpinë tonë të dytë”. Sot nuk kemi fjalë tjetër përveç “faleminderit”, për faktin se çdo ditë keni qenë me ne dhe pranë nesh. Do të na mungojë çdo gjë: gëzimet e përjetuara, vuajtjet dhe vështirësitë shkollore, shakatë që kemi bërë së bashku, gati se një jetë e kaluar në “shtëpinë tonë të dytë”. Çdo gjë tani është mbyllur në zemrën tonë të vogël dhe një nostalgji e madhe na merr përsëri të kthehemi me mendje e me zemër në katër vitet që kemi kaluar në “Don Bosko”.
Faleminderit “Don Bosko” për çdo gjë që ke bërë për neve!”
Dëshmia e dytë është prej mësimdhënëses që në emër të të gjithë stafit, i shkruan të diplomuarve të rinj: “Në “Don Bosko” keni takuar persona që plotësisht janë përkushtuar për ju. Mësimet e tyre, pasuria e tyre shpirtërore, dëshmia e dashurisë së tyre për juve të jetë pikë referimi në çdo përzgjedhje të jetës suaj. Kujtoni personat që keni takuar këtu. Urime dhe jeni gjithmonë të lumtur!”