Dita e shkencës e cila organizohet në kuadër të Javës së Shkencës, është njëra ndër ngjarjet më të mëdha shkencore në Republikën e Kosovës, si çdo vit tjetër edhe këtë vit organizohet në Qendrën Social-Edukative “Don Bosko”, më datë 26 prill 2019.
Kjo ngjarje shkencore tani është bërë traditë në Shkollën tonë dhe mbahet për të shtatin vit rresht, duke marrë një karakter edhe më të veçantë shkencor.
Në vitin e parë ky organizim është mbajtur në nivel shkollor, ku morën pjesë 4 grupe me idetë dhe inovacionet e tyre. Duke pasur parasysh moshën e nxënësve dhe përvojën e tyre në këtë drejtim, u pa qartë se “Dita e Shkencës” është një stimulim për të nxjerrë më të mirën nga të rinjtë tanë, për të vazhduar në vitin e dytë me një zgjerim më të madh, në nivel të Komunës së Prishtinës, me ҫ’rast dolën në pah vullneti dhe dëshira e madhe e mbi 30 grupeve. Prania e tyre, me punime interesante, shpalosi dijen dhe talentin e tyre në drejtime të ndryshme.
Ky organizim dhe këto punime të nxënësve na motivuan edhe më shumë si Shkollë, që ta zgjeronim konkursin tonë dhe ta bëjmë garë tradicionale, edhe në nivel të Republikës së Kosovës, ku morën pjesë një numër i madh konkurrentësh me një konkurrencë të jashtëzakonshme, sa që ishte e vështirë të veçojmë një punim nga tjetri. Këtë vit synojmë që përsëri të vazhdojmë këtë traditë duke hapur konkursin në nivel të Republikës së Kosovës, kësaj radhe duke shpresuar se numri i nxënësve do të jetë edhe më i madh.
Kësaj ngjarje i paraprinë nje tryezë shkencore me temën “TELEMJEKËSIA” ku ligjërues do të jenë ekspert i fushës.
Tryeza shkencore mbahet me datë 24 prill 2019, në ora 12:00.
Kjo ngjarje shkencore premton shumë në të ardhmen dhe u jep mundësi nxënësve, por edhe profesorëve, që të zbulojnë talente të reja.
Me dëshirën që vendi ynë të pasurohet me shkencëtarë të rinj, ju ftojmë që të konkurroni!
SHPËRBLIMET PËR FITUESIT
Sikurse në vitet e kaluara edhe këtë vit shpërblimet janë të shumta. Këtë garë e mbështesin QSE Don Bosko – Prishtinë, shumë kolegje private dhe kompani të ndryshme të cilat ofrojnë shpërblime të ndryshme
LËMITË NË TË CILAT ORGANIZOHET KONKURSI
Projekti duhet të jetë nga këto fusha:
– Informatikë
– Telekomunikacion
– Elektronikë
– Energjetikë
– Automatikë
KRITERET PËR VLERËSIM TË PROJEKTIT
– Anëtarët e grupeve të jenë nxënës të shkollave të mesme.
– Projekti të punohet individualisht ose në grupe me 3 nxënës.
– Grupet mund të krijohen me nxënës të klasave të ndryshme dhe viteve të ndryshme.
– Një nxënës mund të jetë vetëm në një grup punues.
– Projekti duhet të shpjegojë qartë qëllimin, procedurat dhe konkluzionet
– Projekti të dorëzohet në afatin e caktuar
– Projekti të dorëzohet në kopje të fortë dhe elektronike (të përgatitet në Word, në
– PowerPoint për prezantim dhe me programe simulative ose te prezantohet në realizim direkt).
PROJEKTI I PARAQITUR NË WORD TË PUNOHET NË BAZË TË PARAMETRAVE TË DHËNË:
– Fleta e parë (Pjesa e sipërme e fletës- të vendoset Logoja e shkollës p.sh. Don Boskos dhe nën të të shkruhet Shkolla se nga vjen p.sh Liceu Elektroteknik “Don Bosko”, në mes të fletës “PUNIM SHKENCOR”, pastaj nën të, të shkruhet Tema “Shkruhet tema e punimit”, dhe në fund të fletës në krahun e djathtë të shkruhen emrat e nxënësve që kanë punuar.
– Lloji i Fonteve të jetë “Times New Roman”, madhësia e fonteve për kapituj të jetë 16, për tituj të jetë 14 dhe për përmabjtjen e temës të jetë 11, hapësira në mes rreshtave të jetë 1,5.
– Rreshtat barazoni/rrafshoni në të dyja anët (Justify)
– Ikni/largohuni për një vend nga shenjat e pikësimit e simbolet e tjera (. , : ; “ + < > – etj.)
– Ekuacionet ndërmjet dy rreshtave, d.m.th. jashtë tekstit, shkruani, në tërësi, me ndihmën e ‘Editorit të ekuacioneve’, ndërsa shenjat dhe simbolet, si p.sh δ, ‑,sinα; x + y etj. brenda rreshtit shkruani duke përdorur opsionet-ikonën Insert/Symbol për të shkruar shkronjat greke (δ, ‑, α etj.) dhe simbolet matematike (±, », Σ, , etj.) apo opsionin-ikonën ‘Subscript’ x2 për të shkruar shenjat/numrat në indeks (x2), dhe opsionin/ ikonën ‘Superscript’ x2 për të shkruar shenjat/numrat në eksponent/ fuqi (x2), si dhe komandën ‘Ctrl I’ për t’i bërë të pjerrëta (‘italic’) shkronjat, si p.sh. x, y, z, t, v etj.
– Numrat (1, 2, 3, …), shkronjat greke (α, β, γ, ε, etj.), simbolet matematike (=, +, , × etj.) si dhe njësitë (cm, m, kHz, M‑ etj.) nuk shkruhen të pjerrëta.
– Përfundimi- Në bazë të studimit apo hulimtimit,të nxirret një përfundim.
– Përmbajtja e Punimit të bëhet në mënyrë automatike.
– Të shkruhen referencat në bazë të sistemit të Harvardit (Referencing – The Harvard System)
KRITERET E PREZENTIMIT
– Projekti në PowerPoint – Të paraqitet shkurtimisht dhe me foto, figura, grafikone, formula nëse ka. Numri i slajdeve të jetë 10-15.
– Kohëzgjatja e prezantimit (varet nga numri i projekteve të prezantuara).
– Projekti duhet të tregojë origjinalitet.
– Të jetë i bazuar në konkluzione adekuate të eksperimentimit.
– Prezantimi dhe prezantuesi të jenë në gjendje të tregojnë rëndësinë e projektit dhe zbatimi i tij në praktikë.
– Nëse vërtetohet se punimi është vjedhur (plagjiaturë) do të anulohet menjëherë.
HAPAT E REALIZIMIT TË PROJEKTIT
– Liceu ofron të gjitha kapacitetet që ka për nxënësit inovatorë të Liceut dhe shkollave të Kosovës.
– Laboratorët e Liceut janë në dispozicion për grupet punuese të projekteve, në marrëveshje me Liceun.
– Afati i fundit i dorëzimit të projekteve është, 23 prill 2019 (aplikimin duhet ta bëni online duke klikuar ne butonin në fund të faqes).
– Vlerësimi i projekteve bëhet me 24-25 prill 2019. (për orën e mbrojtjes së punimit lajmëroheni përmes emailit)
– Projektet që plotësojnë kriteret hyjnë në listën e ngushtë për t’u prezantuar.
– Paraqitja e projekteve bëhet nga të gjithë anëtarët e grupit, gjatë një mbrojtje publike në praninë e profesorëve, nxënësve dhe të interesuarve.
Për çdo paqartësi mund të na kontaktoni në email adresën: [email protected]
Paraqitja e projekteve dhe shpallja e fituesve bëhet me 26 prill 2019, në orën 12:00.
Drejtori i QSE “Don Bosko” – Prishtinë
Izidor Lukic
Category: DITA E SHKENCËS , Lajmet Publikuar më: 16/04/2019