Dje, më datë 7 shkurt 2020, ishte dita kulminante e përmbylljes së javës së Don Boskos. javë kjo e cila i kushtohet figurës, emrin e të cilit e mbanë me nder dhe krenari shkolla jonë.

Në prezencën e shumë mysafirëve, nxënësve dhe ish nxënësve u mbajt dita e shkollës, dita e Don Boskos.

Këtë vit, me pjesëmarrjen e tyre në festën tonë, na nderuan edhe Gjenerali i KFOR-it, Michele Risi , zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, përfaqësues të Policisë, karabinierë dhe drejtor të shkollave të ndryshme të Prishtinës.

Festa u hap me fjalimin përshëndetës të drejtorit të QSE ‘Don Bosko’, Don Dominik- Skender Qerimi, i cili fillimisht i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, e cila e shtoi gëzimin dhe atmosferën në Qendër. Pastaj, ai dha disa porosi për institucionet e vendit, për ta marrë më shumë në konsideratë rininë dhe për tu kujdesur për të tashmen dhe të ardhmen e rinisë, sepse ata jane jo vetëm e ardhmja po janë e tashmja e vendit. Drejtori, gjithashtu kishte dhe një kërkesë ndaj prindërve: të na ndihmojnë në edukimin e të rinjve.

Pas drejtorit të shkollës, fjalën e mori Gjenerali i KFOR-it, Michele Risi, i cili përshëndeti nxënësit dhe të pranishmit dhe e përgëzoi shkollën për punën që realizon.

Ai gjithashtu e saktësoi arsyen e prezencës së tyre në Kosovë: ‘Ju, rinia, jeni arsyeja pse ne jemi këtu për t’ju ndihmuar.’

Pas këtyre fjalimeve, programi vazhdoi me pika kulturo-artistike, të përgatitura nga nxënësit e shkollës, nën asistencën e profesorëve. Programi ishte mjaft i larmishëm dhe solli atmosferë tejet festive në Qendër.

Pas programit, u ndanë shpërblime të shumta, të garave të zhvilluara në kuadër të javës së Don Boskos, si: piktura më e mirë e përzgjedhur, fituesit e turneut në futboll, basketboll, volejboll dhe fituesi i garës së esesë.

Ne, si QSE ‘Don Bosko’, ju falënderojmë për pjesëmarrjen të gjithëve dhe urojmë të festojmë gjithmonë të bashkuar!


Category: Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme

Publikuar më: 09/02/2020