Sot, më 3 shkurt 2017, duke filluar në ora 11:00, në Qendrën tonë u mbajt program kulturo-artistik i përgatitur me mjaftë përkushtim nga nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë si dhe nga ata të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët.
Drejtori i QSE “Don Bosko”, Don izidor Llukiç, me fjalën e tij përshëndeti të gjithë të pranishmit që kishin ardhur për të na nderuar me praninë e tyre, e të cilët nuk ishin të paktë në numër.
Më pas fjala i takoi Mons. Lush Gjergjit, i cili uroi nxënësit për punën dhe sukseset e mëtutjeshme.
Gjithashtu, fjalën e mori edhe Agim Krasniqi, udhëheqës i Arsimit Privat parauniversitar në Kosovë, i cili përshëndeti dhe uroi nxënësit dhe stafin për punën dhe sukseset.
Sot në këtë program kulturo-artistik u dhanë edhe çmimet për tri esetë më të mira, ku fitues ishin si vijon:
Vendi parë i takoi nxënëses Gresa Berisha nga Shkolla e Mesme e Lartë “Ali Sokoli”,
Vendi i dytë i takoi nxënëses Blerina Beqiri nga Shkolla e Mesme e Lartë “Ali Sokoli” dhe
Vendi i tretë i takoi nxënëses Lenda Gashi nga Shkolla e Mesme e Lartë “Don Bosko”.
Më pas u ndanë edhe çmimet për aktivitetet sportive dhe për nxënësit që morën pjesë në Garën e Pikturës, për t’i lënë hapësirë pikave artistike të përgatitura nga nxënësit tanë, duke filluar nga më të vegjëlit e deri tek ata më të mëdhenjtë.
Kështu përmbyllëm një javë të tërë aktivitetesh e ngjarjesh, nëpër të cilat nxënësit tanë treguan talentin, atraktivitetin dhe përkushtimin për suksese të mëtejme.
Dhe krejt në fund të këtij lajmi, ju bëjmë me dije se nesër mbrëma, në hapësirat e QSE ”Don Bosko” organizohet Koncert për të rinjtë, duke filluar në orën 20:00.
Category: Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme , Qendra "Don Bosko" - Prishtinë Publikuar më: 03/02/2017