Të nderuar e të respektuar mësuesit tanë, në emër të Drejtorit të QSE “Don Bosko” në Prishtinë dhe Bashkësisë Saleziane, gëzuar 7 Marsin, ditën e tuaj!

Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë e gjuhës shqipe.  Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në shtëpinë e ofruar për mësimdhënie nga Diamanti Terpo. Kjo ndërtesë është sot muzeum kombëtar i arsimit.

Hapja e shkollës ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve, nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare.

Veç të tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu, që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që mësohet në gjuhën shqipe si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Sot jemi dëshmitarë se sa i rëndësishëm është arsimimi për krijuar një shoqëri të shëndoshe dhe një shoqëri e cila është e aftë t’i përballojë sfidave të shumta të cilat e kaplojnë njerëzimin.

Andaj investimi në edukim dhe arsimim duhet të jetë prioritet i të gjithë brezave i cili do të garantoj një shoqëri të edukuar, të arsimuar e cila do të mund të kontribuoj në çdo sferë jetësore

Urime!


Category: Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme

Publikuar më: 07/03/2022