Tashmë çdo vit në Qendrën tonë është bërë traditë organizimi i Javës së  Solidaritetit së bashku me nxënësit tanë. Javë kjo kur nxënësit tanë organizohen të përgatisin ushqime dhe ëmbëlsira të ndryshme, dhurojnë rroba dhe ushqime elementare për familjet e varfëra të rrethinës sonë për nderë të festave të fundvitit.

Java e Solidaritetit këtë vit u organizua në tri ditë, duke filluar më 13.12.2016  nxënësit e klasave të dhjeta, pastaj vijuan më 14.12.2016 klasat e njëmbëdhjeta, dhe ditën e fundit më 15.12.2016 klasat e dymbëdhjeta. Këtë vit edhe nxënësit  e SHFMU treguan vullnetin e tyre të mirë duke kontribuar dhe dhuruar edhe ata ushqime dhe gjësende tjera të nevojshme.
Gjatë këtyre ditëve nxënësit në kohën e pushimit të gjatë të procesit mësimor, së bashku me një pjesë të stafit organizuan tryezat për shitjen e ushqimeve dhe ëmbëlsirave, duke mbledhur fitimet nga shitjet e tyre për kauzën humanitare për të cilën organizohet kjo javë. Në fund me ato fonde të fituara blihen dhe sigurohen ushqimet elementare, duke bashkuar në këto pako dhurata dhe rrobat e dhuruara si dhe ushqimet e gjërat e tjera të siguruara nga vetë nxënësit për disa familje në nevojë, që jetojnë dhe mbijetojnë në kushte tejet të vështira.
Falënderojmë shumë nxënësit tanë për kontributin dhe vullnetin e tyre për Javën e Solidaritetit, të cilët po dëshmojnë vullnetin e tyre të mirë dhe po ndihmojnë brenda mundësive për të gëzuar familjet e varfëra.
Nëse nuk kemi mundësi të bëjmë gjëra më të mëdha, Qendra “Don Bosko”  së bashku me nxënësit e saj po dëshmon që mund të bëjmë gjëra të vogla por me dashuri shumë të madhe dhe vullnet të jashtëzakonshëm të të rinjve tanë për të ndihmuar  të tjerët.


Category: Gjimnazi i Përgjithshëm , Lajmet , Liceu Elektroteknik , Ngjarjet e Rëndësishme , Qendra "Don Bosko" - Prishtinë , Shkolla e Mesme e Ulët

Publikuar më: 15/12/2016