Të nderuar prindër, nxënës dhe Staf i QSE “Don Boskos” – Prishtinë.

Pas një kohe të gjatë të shkëputjes së nxënësve nga ambientet shkollore, sot ishte dita e parë e mësimit, andaj shfrytëzojmë rastin që t’ju përcjellim urimet e tona për këtë vit të ri shkollor që më shumë se kurrë mund të quhet një vit i llojit të tij dhe i veçantë në shumë aspekte e padyshim një vit me plot sfida. Mendojmë se këtë vit, më shumë se kurrë do kuptohet rëndësia e funksionimit të të ashtuquajturit trekëndëshit pedagogjik: SHKOLLË – FAMILJE – NXËNËS. Andaj ju ftojmë të gjithëve që të japim çdonjëri kontributin tonë, që nganjëherë mund të jetë tepër i vogël, por tejet i rëndësishëm. 

Duam që me këtë rast t’i falënderojmë të gjithë për pjesëmarrjen e tyre aktive në procesin e përgatitjes së fillimit të këtij viti shkollor. Megjithatë, duam t’i falënderojmë në mënyrë të veçantë prindërit e fëmijëve/nxënësve të shkollës sonë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre të plotë në fazën para-përgatitore dhe në veçanti për ditën e sotme.

Nxënësve ju urojmë një vit të mbarë dhe të frytshëm në edukimin dhe arsimimin e tyre dhe ju kërkojmë që të kujtojnë një të vërtetë: sa më shumë që të jemi të kujdesshëm dhe t’i përmbahemi Masave anti-Covid të caktuara na autoritetet kompetente, aq më shumë do mbrojmë vetën dhe të afërmin tonë e mbi të gjitha, aq më shpejtë ato masa do lehtësohen dhe do na japin mundësinë t’i kthehemi jetës dhe ritmit normal të procesit mësimor, në të kundërtën gjendja e jashtëzakonshme do zgjasë edhe më shumë dhe masat do ashpërsohen edhe më shumë. Andaj, na ndihmoni që të mund t’ju ndihmojmë. 

Për sa herë që nuk do jemi në gjendje t’ju përgjigjemi kërkesave/nevojave tuaja – varësisht nga gjendja dhe nga rrethanat që do kalojmë – ju kërkojmë ndjesë të gjithëve në përgjithësi dhe çdonjërit në veçanti. 

Ju na i keni besuar fëmijët tuaj, atë që është pjesa më e çmueshme e jetës suaj, andaj nga ana jonë ju sigurojmë se do bëjmë gjithçka është e mundur që të arsyetojmë besimin tuaj. 

Zoti na ndihmoftë dhe na ruajtë të gjithëve, në këtë gjendje të jashtëzakonshme në të cilën gjendemi ne dhe bota mbarë!


Category: Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme

Publikuar më: 14/09/2020