Nga data 01/07/2019 deri me datë 26/07/2019, nën organizimin Oratorit i cili vepron në kuadër të QSE “ Don Bosko”, u zhvilluan lojërat verore.

Lojërat në fjalë janë të përvitshme në këtë shkollë, prandaj nën udhëheqjen e përgjegjësit të shkollës fillore, Don Pavlin Zefi dhe shumë animatorëve, mbarëvajtja e tyre kaloi pa ndonjë problem.

Fëmijët të cilët morën pjesë në këto aktivitete ishin të grupmoshave të ndryshme, nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë, kurse koha e zhvillimit të këtyre aktiviteteve ishte çdo ditë pune, nga ora 09:00- 12:30.

Aktivitetet ishin nga më të ndryshmet, si: recitale, vallëzime, kompeticione, vizitë në pishinë, lojëra sportive etj. Më e rëndësishmja ishte se këta fëmijë, të ardhur nga të gjitha lagjet e Prishtinës, patën mundësinë të shoqërohen e të njihen mes vete, duke krijuar kështu raporte shoqërore.

Zërat gazmorë të fëmijëve që u dëgjuan në QSE “ Don Bosko” gjatë këtij muaji që po lëmë pas ishin padyshim gjallëria e kësaj vere për shkollën.

Urojmë dhe shpresojmë se koha e kaluar së bashku të ketë qenë frytdhënëse për secilin fëmijë, që ishte pjesë e këtij organizimi!


Category: Lajmet , Oratori

Publikuar më: 29/07/2019