Festa më e madhe kombëtare festohet edhe ne QSE “Don Bosko”. Festë kjo e cila beri që nxënësit tanë të ndiejnë më shumë se kurrë ndjenjën kombëtare.
Më poshtë mund ta lexoni historikun e kësaj date.
Data e 28 Nëntorit shënon datën e kthesave të mëdha të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Një popull i robëruar përgjatë shekujve, i tradhtuar dhe i anashkalua gjithmonë nga fuqitë e mëdha e pat vullnetin e pathyeshëm dhe atdhedashurinë për t’i mbijetuar çdo padrejtësie të kohës.
Përkundër të gjitha përpjekjeve ende jemi popull dhe territor i ndarë në gjashtë shtete: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Greqi dhe Mal të Zi.
28 Nëntorët na u përsëriten gjatë historisë.
28 Nëntori i parë arbëror është ai i vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e ngriti për here të pare në historinë e kombit tonë Flamurin me Shqiponjën Dy krenare në Kalanë e Krujës. Ai flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore për 25 vjet, aq sa Kryeheroi Ynë ishte gjallë dhe e udhëhoqi popullin dhe Shqipërinë.
U deshën pesë shekuj pritje e vuajtje, tmerr e robëri nën atë pushtues, si dhe shumë eksode e zbrazje masive të trojeve tona .
Nën trysninë e fuqive të mëdha të kohës, në Kongresin e Berlinit të vitit 1878, Perandoria Osmane u detyrua t’ua njohë pavarësinë disa vendeve fqinje, si: Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi, gjë që nuk ndodhi edhe me Shqipërinë, që mbeti ende nën kthetrat otomane.
Kjo padrejtësi i riforcoi shqiptarët dhe idealin e tyre për liri e bëri të pathyeshëm. Me mohimin e pjesëmarrjes në Kongresin e Berlinit, krerët shqiptarë të udhëhequr nga Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Pashko Vasa e të tjerë, më 10 qershor 1978 në Prizren, mbajtën Kuvendin mbarëkombëtar dhe themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, duke shpallur kështu autonominë e Shqipërisë.
Pas shuarjes së kësaj lëvizjeje nga Perandoria Osmane, konkretisht në vitin 1899 nën drejtimin e Haxhi Zekës, u mbajt në Pejë edhe një kuvend i madh mbarëkombëtar, që historia e njeh si Lidhja e Pejës ose “Besa-besë”.
Pas këtij hapi luftërat çlirimtare shpërthyen në të gjitha viset e pushtuara nga Perandoria Osmane duke i dhanë asaj një goditje të rëndë. Për shkak të dobësimit të kësaj perandorie fuqitë e mëdha sërish vendosën për fatin e popujve të robëruar.
Kësaj radhe u tentua që Shqipërisë t’i epej një autonomi formale, por prapë parashihej të mbetej nën varësinë e Turqisë, prandaj krerët e kombit tonë, kishin vendosur mbajtjen e një kuvendi dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Krerët e të gjitha krahinave shqiptare iu përgjigjen thirrjes së Ismail Qemalit dhe më 28 Nëntor të vitit 1912, në Vlorë e shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Për shkak të pengesave gjatë rrugës, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, munguan Isë Boletini me mbi dhjetëmijë kalorës nga Kosova, të cilët kishin arritur në Vlorë tek të nesërmen.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe zgjodhi Qeverinë e pare të Shtetit Shqiptar. Kryetari Kuvendit e natyrisht edhe kryetari pare i Qeverisë së shtetit Shqiptar, u zgjodh Ismail Qemali, i cili kur po e ngiste Flamurin e qëndisur nga Marigona, në fjalën e tij solemne, ndër të tjera ka thënë: “Fqinjët tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë”.
Në konferencën e ambasadorëve në Londër, më 1913, pa përfillur luftën çlirimtare as vullnetin e popullit tonë, u morën sërish vendime tragjike kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Më shumë se gjysma e tokave tona iu dhuruan fqinjëve: Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë si shtet i riformuar.
28 Nëntori i vitit 1955, mu në kohën e gjenocidit rankoviqian mbi shqiptarët e Kosovës, në Prekaz të Drenicës lindi kryekomandanti Adem Jasharin, i cili do të niste Luftën Çlirimtare vendimtare, për t’u çliruar nga zgjedha serbe.
28 Nëntori i vitit 1997 e shpalli botërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
28 Nëntori i vitit 2001, e solli me krenari, në qendrën e kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, kryeheroin tone Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.
Me 28 Nëntor të vitit 2001 është vënë gurë themeli i shkollës së Qendrës Social Eduaktive ‘’Don Bosko’’ në Prishtinë.
Në këtë festë të madhe, që sivjet po e kremtojmë edhe në shenjë të 612 Vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të 462 vjetorit të Mesharit të Gjon Buzukut dhe të 107 Vjetorit të lindjes së Shenjtëreshës Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, uroj që së shpejti ta kremtojmë bashkë 28 Nëntorin e Shqipërisë Etnike.
Category: Gjimnazi i Përgjithshëm , Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme , Qendra "Don Bosko" - Prishtinë Publikuar më: 27/11/2017