Duke pasur parasysh se fillimi i vitit të ri shkollor kërkon më shumë punë dhe përkushtim, Qendra “Don Bosko” vazhdon me mbajtjen e takimeve me nxënës dhe prindër, ashtu siç edhe kemi lajmëruar paraprakisht në webfaqen e shkollës dhe përmes rrjeteve sociale.
Sot, me datë 28 gusht 2019, u mbajt takimi informues me klasët e XI-ta dhe XII-ta, ku të pranishëm ishin prindërit e fëmijëve, fëmijët, respektivisht nxënësit, dhe salezianët e Don Boskos.
Takimin e hapi zëvendësdrejtori i SHML, Don Tomë Mihaj, që fillimisht e prezantoi drejtorin e ri të shkollës përpara prindërve dhe nxënësve dhe i uroi mirëseardhje në Qendrën tonë. Pastaj fjalën e kaloi tek drejtori i Qendrës, Don Dominik- Skender Qerimi, i cili gjithashtu uroi mirëseardhje për nxënësit e klasëve në fjalë dhe prindërit e pranishëm. Falënderoi të gjithë për mikpritjen me rastin e emërimit të tij si drejtor i Qendrës Social- Edukative “Don Bosko” dhe i falënderoi nga zemra të gjithë prindërit për besimin që na e kanë dhënë, duke i dorëzuar fëmijët e tyre tek ne. Ai gjithashtu premtoi përpara prindërve se do të bëjmë të pamundurën për të mos e thyer besimin e tyre, gjithmonë duke aluduar për të mirën e fëmijëve.
Pas fjalimit të Drejtorit, prindërit, nxënësit dhe kujdestarët e këtyre klasëve u shpërndanë nëpër klasat përkatëse, ku patën mundësinë të bashkëbisedojnë dhe diskutojnë.
Category: Gjimnazi i Përgjithshëm , Lajmet , Liceu Elektroteknik , Ngjarjet e Rëndësishme Publikuar më: 28/08/2019