Sot, më 31/8/2020, ditë e hënë, stafi i QSE ‘Don Bosko’ me seli në Prishtinë, u mblodh për të falënderuar dhe përshëndetur zv. drejtorin e SHFMU ‘Don Bosko’, Don Pavlin Zefi.

Fillimisht takimin e hapi drejtori i kësaj qendre, Don Dominik-Skender Qerimi, i cili fillimisht i rikujtoi betimet e bëra  si salezian para shumë vitesh dhe uroi që Don Pavlini të jetë i përgjegjshëm dhe i përmbajtur përballë këtyre betimeve, ashtu siç edhe ka qenë deri me tani. Uroi gjithashtu që vendi ku po vendoset tani ai për të shërbyer të bëhet vend i bekuar dhe strehë për ata që kanë nevojë.

Duke i uruar rrugë të mbarë dhe duke rikujtuar se kjo qendër do të mbetet gjithmonë shtëpi për të, siç edhe ka qenë këto tetë vite sa ka shërbyer këtu, Drejtori e kaloi fjalën tek mësuesja e klasës IV/B, e cila në emër të stafit e falënderoi Don Pavlinim për bashkëpunimin dhe mbështetjen e përhershme kundrejt stafit dhe shkollës. Ajo në shaka e sipër, për të mos lejuar që emocionet ta kontrollojnë këtë takim, i rikujtoi atij dhe kolegëve sa peripecitë i kanë kaluar bashkë, si kolegë e si familje.

Ajo gjithashtu e uroi atë, duke i dëshiruar rrugë të mbarë e shërbim të lehtë!.

Pas saj fjalën e mori Don Pavlini, i cili la si ‘testament’ tri pika kryesore nga fjalimi i tij:

– Duajeni njëri-tjetrin dhe përkraheni njëri-tjetrin!
– Vazhdoni të jeni një familje e bashkuar, ashti siç keni qenë gjithmonë!
– M’i keni shumë kujdes fëmijët dhe përkushtojuani jetën atyre!

Ai falënderoi secilin pjesëtar të stafit për kohën e kaluar bashkë.

Pas këtyre fjalimeve, stafi i dhanë një dhuratë në shenjë falënderimi dhe shenje se nuk do të harrohet aq lehtë për shërbimet, kujdesin dhe kohën e kaluar këtu.

Takimi përfundoi me fotografi, të cilat tashmë do të jenë pjesë e kujtimeve të secilit prej nesh.

Nga zemra i urojmë Don Pavlinit rrugë të mbarë dhe shërbim të shenjtë në Lushnje!


Category: Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme

Publikuar më: 31/08/2020