Më 27 qershor 2019, u mbajt mbledhja me prindër të nxënësve të shkollës fillore, që kishte për qëllim komunikimin e suksesit të nxënësve dhe dorëzimin e librezave.

Mbledhjen e hapi drejtori i QSE “Don Bosko”, Don Izidor Lukić, duke uruar mirëseardhje për prindërit dhe duke i përgëzuar për rezultatin e fëmijëve të tyre. Pastaj gjatë fjalimit, ai foli edhe për eksperiencën e tij të mrekullueshme brenda shkollës gjatë viteve të kaluara këtu dhe ripërsëriti faktin e përfundimit të mandatit të tij si drejtor. Ky fjalim u përcjell  me duartrokitje të gjata nga ana e prindërve. Të ngritur në këmbë e duke duartrokitur, ata i dhanë urime të shumta dhe i dëshiruan suksese më tutje, duke shpresuar se kjo nuk do të jetë hera e fundit që do të takohen mes vete.

Pastaj mbledhja vazhdoi me fjalimin e përgjegjësit të shkollës fillore, Don Pavlin Zefi,  i cili në pika të shkurta rikujtoi kontributin e drejtorit për mirëqenien e shkollës, mundin dhe sakrificat e tij dhe e falënderoi për gjithçka që ka bërë për Qendrën tonë.

Përcjellur nga duartrokitje të shumta dhe urime të pafundme, prindërit u drejtuan nëpër klasat përkatëse, për të mësuar suksesin e fëmijëve të tyre.


Category: Lajmet , Shkolla e Mesme e Ulët , Shkolla Fillore

Publikuar më: 28/06/2019