Sipas lajmërimit të publikuar më herët në faqen zyrtare të Qendrës Social- Edukative “Don Bosko” ku kemi informuar për takimet me prindër, ashtu edhe janë realizuar ato takime.

Me datë 31/10/2019, ditë e enjtë, u mbajt takimi me prindër të klasëve të dhjeta, qëllimi i të cilit ishte komunikimi i mbarëvajtjes së procesit mësimor për periudhën dymujore.

Në takim morën pjesë drejtori i QSE “Don Bosko”, don Dominik- Skender Qerimi, zëvendësdrejtori i SHML, don Tomë Mihaj, kujdestarët e klasëve dhe sekretaria.

Takimin e hapi drejtori, duke uruar mirëseardhje dhe duke i falenderuar prindërit për pjesëmarrjen në takim dhe për vullnetin e treguar për bashkëpunim të ndërsjellë.

Fillimisht ai rikujtoi disa nga pikat e rregullores së shkollës, duke dhënë sqarime për secilën prej tyre.

Duke ju përgjigjur kërkesave të shumta të prindërve, ai gjithashtu sqaroi faktin se QSE “Don Bosko” vepron sipas planprogrameve të MASHT-it dhe kalendari shkollor nga po i njejti institucion është i vlefshëm edhe për shkollën tonë. Në kuadër të kësaj, drejtori kumtoi vendimin se vetëm një ditë mësimore, me kërkesën e prindërve, është e arsyetueshme nga shkolla për nxënësit e SHML, brenda një periudhe, për arsye të pashmangshme shëndetësore apo familjare.

Në përfundim të fjalimit, drejtori i falenderoi prindërit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen. Ata u shpërndanë nëpër klasa, ku u mirëpritën nga kujdestarët e klasëve, për të pasur mundësinë e konsultimit përreth periudhës dymujore mësimore.


Category: Lajmet

Publikuar më: 01/11/2019