Me datë 12 Nëntor 2015, Shkolla e Mesme e Ulët “Don Bosko” – Prishtinë vizitoi redaksinë e Gazetës “Express” ku u njoftuan nga afër me punën që bëhet aty.

Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të asaj që nxënësit tanë mësuan rreth Gazetës Express:

Gazeta Express u hap në vitin 2004. Ajo është një nga gazetat më të mëdha në Ballkan. Në këtë gazetë punojnë rreth 40 punëtorë, të cilët nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 4 të mëngjesit vijues na japin lajme në kohë reale.
Gazeta Express në fillimet e saj ishte një gazetë e botuar por më pas u bë gazeta e parë elektronike në Kosovë. Ky ndryshim ndodhi për arsye se në ditët e sotme njerëzit më shpesh lexojnë gazetat nga mjetet elektronike sesa nga gazetat e botuara. Kur kjo gazetë botohej, ishte më e vështirë të rregulloheshin gabimet dhe kjo gjë merrte kohë, kurse tani gabimet rregullohen në çast. Që një gazetë të jetë e suksesshme, duhet të punohet natë e ditë dhe lajmet të jenë të vërteta, në kohë reale dhe me shumë fakte e foto.
Aspekti më i vështirë i krijimit të një lajmi është verifikimi i informatës. Verifikimi i informatës bëhet duke pyetur dy palë me opinione të ndryshme dhe me anë të saj të krijohet një lajm i përafërt me të vërtetën. Lajmet më të besueshme janë ato që verifikohen nga Policia së bashku me fakte dhe foto të çastit.
Gazetat shumë shpesh kërcënohen nga hakerë të ndyshëm të cilët kanë për qëllim prishjen e reputacionit të gazetës. Për të mos lejuar hakerët të ndikojnë në këtë gjë, ka njerëz që e sigurojnë ueb faqen.
Për marrjen e informatave brenda vendit, në terren dalin një fotograf dhe një gazetar. Kurse për marrjen e informatave jashtë vendit, artikujt blihen nga agjensi të ndryshme që marrin informatat dhe i shesin ato.
Në një gazetë punojnë: kryeredaktori, gazetarët, fotografët etj. Këta njerëz punojnë shumë që kjo gazetë të fitojë “luftën” mes gazetave të tjera, e cila ndodh për faktin se cila gazetë dëshiron të sjellë lajmin më të shpejtë dhe më cilësor. Gazeta Express publikon 300-400 lajme në ditë.
Nga shumë rubrika që përfshinë kjo gazetë, rubrika më e lexuar është rubrika Rozë. Gazetës Express i ka mbetur emri kështu pasi që është gazetë e shpejtë (ekspres). Kjo gazetë për çdo shkrim u jep meritat përkatëse njerëzve që e kanë shkruar lajmin. Portali Express shpresohet se do të vazhdojë punën edhe për shumë vite, pasi siq thanë punetorët e kësaj gazete: “Ky është vetëm fillimi!”.

Ida Gojani

6A SHFMU “Don Bosko” – Prishtinë


Category: Lajmet , Qendra "Don Bosko" - Prishtinë , Shkolla e Mesme e Ulët

Publikuar më: 16/11/2015