Më datë 25.05.2016, klasa e gjashtë dhe e shtatë e SHFMU “Don Bosko” vizituan tre pasuri
të mëdha të vendit tonë. Së pari vizituan Ulpianën, një qytet të lashtë Ilir. E njohur si Justiniana Secunda, ishte ndër qytetet e pakta të civilizuara të asaj kohe. Emri rrjedh nga perandori romak Markus Ulpus. Ky qytet gjendet disa kilometra larg Prishtinës. Është një shembull konkret, që dëshmon rrënjët tona shqiptare. Kur arritën atje u takuan me arkeologun Milot Berisha, i cili u tregoi shumë informacione që nuk i kishin ditur lidhur me këtë qytet antik. Në këtë vend ata panë disa mbetje të themeleve, të mureve dhe të varrezave të paraardhësve tanë. Arkeologu i informoi për legjendën e Florit dhe Laurit, gurgdhendës të asaj kohe, të cilët jetonin në Ulpianë. Pasi që ata ndërtuan një kryq të drunjtë, u detyruan që të hidheshin në një pus, për shkak se në atë kohë feja krishtere ishte e ndaluar. Aty gjendeshin edhe disa monumente të vjetra, si Katedralet, Pagëzimorja dhe të tjera vende me shumë vlera.
Pas Ulpianës i priste Novobërda. Në kohët më të vjetra, këtë qytet e krahasonin edhe me Londrën e asaj kohe. Këtu panë edhe Kalanë e Novobërdës. Kur arritën atje, profesorët filluan t’u shpjegonin lidhur me historinë e Kalasë si dhe për pozitën e saj gjeografike. Ajo shtrihet përgjatë Maleve Rodope. Lartësia mbidetare arrinte mbi 1000 metra. Këtu u zhvilluan luftëra ndërmjet banorëve dhe turqve. Në atë rrethinë panë edhe përkujtimoren e pushtuesit turk. Vend i lashtë… Për ta mbyllur vizitën ata shkuan në Shpellën e Gadimes, një vend që shquhet për format e veçanta të mineraleve të rritura aty. Kur hynë brenda, nxënësit u mahnitën nga bukuria që kishte krijuar natyra.
Në këtë shpellë gjendeshin shumë shkëmbinj që u ngjanin figurave nga jeta reale. Aty panë Romeon dhe Zhuljetën, dy shkëmbinj, të cilët ishin shumë afër njëri-tjetrit, por u duheshin edhe shumë vite për t’u takuar. Panë edhe forma të tjera që dukeshin si: Borëbardha dhe shtatë xhuxhat, përkrenarja e Skënderbeut, syri i Kosovares, etj. Ciceroni iu tregoi edhe për sallën e lotëve, për të cilën thuhej se do të qante deri sa të bashkoheshin Kosova dhe Shqipëria. Në këtë shpellë kishte shumë gjëra mahnitëse. Ciceroni i siguroi se aty do të bëheshin edhe shumë punime të tjera për ta bërë këtë shpellë edhe më interesante dhe një vend më të mirë për turistët. Kjo vizitë përfundoi shumë shpejt dhe nxënësit ishin shumë të kënaqur me gjërat e reja që kishin mësuar. Nxënësit ishin shumë falënderues ndaj shkollës për organizimin e kësaj vizite.
Nga
Ida Gojani, Lum Axhemi, kl. 6A
Lea Buzhala, Jon Selmani, kl. 7A
Category: Lajmet , Qendra "Don Bosko" - Prishtinë , Shkolla e Mesme e Ulët Publikuar më: 10/06/2016